Deputetja Marjana Koceku, e njohur si “Neomalsorja” ka reaguar pas zjarrit të rënë në orët e para të mëngjesit të së dielës në një prej hoteleve të njohura në Vlorë, ku mbetën të lënduar disa pushues shqiptarë, mes tyre edhe qytetarë nga Kosova.
Koçeku bëri të ditur se ka vizituar në Tiranë disa prej të lënduarve, ndërsa u shpreh e shqetësuar për gjendjen e tyre shëndetësore.
“Në orët e para të mëngjesit, mori flakë një nga hotelet e njohura në Vlorë, ku mbetën të lënduar disa pushues shqiptarë, mes tyre edhe qytetarë nga Kosova. I vizituam sot në Tiranë, së bashku me Adriatik Kurtin, të shqetësuar për gjendjen e tyre. Disa prej tyre po marrin trajtim të specializuar, ndërsa dy të rinj ndodhen në gjendje të rëndë në reanimacion. Uroj me gjithë zemër shërimin e tyre sa më të shpejtë!”, shkruan Koceku.
Deputetja ngre pikëpyetje mbi standardet e sigurisë në strukturat akomoduese, veçanërisht në hotele të kategorizuara me pesë yje.
Sala në Korçë: Ngremë shërbimin e Geriatrisë, model i ri kujdesi për të moshuarit
“Si mundet të udhëtojë qytetari për pushime dhe të përfundojë duke rrezikuar jetën, sepse hoteli ku pushon nuk plotëson kushtet minimale të sigurisë? Aq më tepër kur bëhet fjalë për një hotel të certifikuar me 5 yje”, shprehet ajo.
Sipas dëshmive të të lënduarve dhe familjarëve të tyre, Koçeku thotë se dyshohet se nuk kanë funksionuar siç duhet sistemet e alarmit dhe emergjencës ndaj zjarrit, ndërsa ngre shqetësime edhe për rrugët e evakuimit.
“Dy vajzat u hodhën nga kati i tretë për t’u shpëtuar flakëve”, thekson deputetja.
Në përfundim, Koçeku kërkon një hetim të thelluar dhe transparencë të plotë për shkaqet dhe mënyrën e menaxhimit të situatës.
“Duhet hetim i thelluar dhe transparencë mbi këtë ngjarje alarmante. Siguria e pushuesve nuk mund të jetë në dorë të rastit, të njohjeve apo të interesave, por duhet të garantohet përmes zbatimit të ligjeve dhe standardeve të mirëfillta të sigurisë”, përfundon ajo.




