Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt kufijve të përbashkët, miratohet marrëveshja në parim

Qeveria shqiptare ka dhënë sot miratimin në parim për marrëveshjen e përbashkët me Maqedoninë e Veriut, e cila parashikon krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes dy shteteve.

“Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, shkruhet në njoftimin e qeverisë.

Nisma ishte paralajmëruar edhe dy ditë më parë nga zëdhënësja e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Venera Azizi. Sipas saj, sistemi i ri synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve duke ofruar procedura më të shpejta, më të thjeshta dhe më të sigurta, veçanërisht gjatë sezonit veror kur qarkullimi në kufi shënon rritje të ndjeshme.

Zbatimi i projektit do të nisë fillimisht në pikën kufitare të Qafë Thanës, e cila do të shërbejë si faza pilot. Më pas, modeli pritet të aplikohet gradualisht edhe në pikat e tjera kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.

Për funksionimin e plotë të sistemit mbetet të formalizohet marrëveshja përfundimtare përmes nënshkrimit nga ministritë e Brendshme të të dy vendeve.