Po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të premte protesta e 20-të radhazi e lëvizjes së njohur si “Revolucioni i Flamingove”, me mijëra qytetarë që janë grumbulluar përpara Kryeministrisë për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Një nga organizatorët e protestës, aktivisti Arben Kola, deklaroi se protestës pritet t’i bashkohen edhe qytetarë nga diaspora.
“Nesër vjen mërgata, kanë prerë biletë pa kthim”, u shpreh ai.
Edhe aktivistja Luçiana Kokaj, gjatë fjalës së saj në protestë, ka paralajmëruar se shumë shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të Eurpës, janë duke ardhur në vendin tonë, për t’ju bashkuar protestave që po zhvillohen në Tiranë.
“Përshëndetje të gjithëve. Vazhdoni të jeni më të mirët. Ne jemi këtu dhe do jemi derisa të shporrim këtë qeveri. Kryeministri tha ‘nëse do iki unë, kush do ju çoj juve në BE?’. Unë do t’i thoja se ka me mijëra që mund të na çojnë para teje në BE. Që nga ky shesh e kemi ngritur zërin në PE dhe do vazhdojmë ta bëjmë çdo ditë. Ata që na përfaqësojnë denjësisht në BE, janë mes nesh. Disa na janë bashkuar dhe disa janë rrugës”, tha Kokaj.
Pavarësisht se protesta ka hyrë në javën e tretë, pjesëmarrja vijon të mbetet e lartë, ndërsa organizatorët e konsiderojnë mobilizimin e vazhdueshëm si tregues të pakënaqësisë në rritje ndaj qeverisë dhe klasës politike.
Tubimi i sotëm vjen vetëm një ditë pasi mijëra qytetarë marshuan drejt Kuvendit të Shqipërisë, duke ndryshuar për herë të parë itinerarin tradicional të protestës.
Gjatë protestës së djeshme nuk u raportuan incidente me forcat e rendit, megjithëse një moment tensioni verbal u regjistrua pranë selisë së Partisë Demokratike, ku një pjesë e protestuesve artikuluan kritika edhe ndaj opozitës.
Lëvizja, e cila nisi fillimisht si kundërshtim ndaj projekteve të zhvillimit në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, është shndërruar gradualisht në një protestë më të gjerë kundër qeverisë dhe establishmentit politik.
Ndërkohë, procedimet penale të nisura nga Policia e Tiranës ndaj disa organizatorëve dhe pjesëmarrësve nuk duket se kanë ndikuar në uljen e mobilizimit.
Organizatorët i kanë cilësuar masat si përpjekje për të frenuar pjesëmarrjen qytetare dhe kanë paralajmëruar vijimin e protestave deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Ashtu si në ditët e mëparshme, pas qëndrimit para Kryeministrisë, protestuesit pritet të marshojnë edhe në akset kryesore të kryeqytetit, duke vijuar presionin ndaj qeverisë në ditën e 20-të të protestave të pandërprera.




