Sherri mes shokëve përfundon në përdorimin e thikave! Plagoset 26-vjeçari në Lushnjë, arrestohet autori

LUSHNJË – Një konflikt për motive të dobëta, i cili më pas ka përfunduar në plagosje me thikë ka ndodhur ditën e sotme në Lushnje. Si pasojë e kësaj, ka mbetur i plagosur 26-vjeçari, Erbion Çerraga. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Lushnjës, ku autori i dyshuar është arrestuar nga forcat e policisë disa orë pas incidentit.

Sipas deklaratës së policisë, Denis Hoxha, banues në fshatin Stan Karbunarë, dyshohet se ka goditur me thikë shokun e tij pas një sherri mes tyre. Pas ngjarjes, policia organizoi kontrolle për kapjen e 19-vjeçarit, duke e bërë të mundur arrestimin e tij brenda pak orësh.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, policia sekuestroi 48.160 euro dhe 7.200 dollarë, të cilat dyshohen se mund të jenë të falsifikuara. Mbi 19-vjeçarin rëndojnë akuzat për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe detajet e rrethanave të saj, ndërsa 26-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Erbion Çerraga nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në shkurt të vitit 2025, ai plagosi me thikë një tjetër 26-vjeçar për motive të dobëta në lagjen “Xhevdet Nepravishta” në Lushnjë. Në atë kohë, Çerraga u vu në pranga dhe u procedua për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, pasi i shkaktoi të riut dëmtime të rënda.