Rama: Akti normativ për buxhetin 2026 – bonuse për pensionistët, fonde për shëndetësinë dhe rritje pagash

Kryeministri Edi Rama deklaroi se rritja e ekonomisë mbi parashikimet ka krijuar hapësirë për një paketë të re masash sociale dhe financiare, të miratuara përmes Aktit Normativ të buxhetit 2026.

Sipas tij, një pjesë e të ardhurave shtesë të ekonomisë do të shpërndahet në formën e mbështetjes direkte për qytetarët, me fokus pensionistët, sistemin shëndetësor dhe kategoritë në nevojë.

Rama bëri të ditur se është miratuar një bonus për pensionistët, duke theksuar se kjo masë lidhet me rritjen e të ardhurave buxhetore dhe synon shpërndarjen e përfitimeve tek shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.

Në fushën e shëndetësisë, qeveria ka vendosur të alokojë rreth 15 milionë euro shtesë për medikamentet e pacientëve me sëmundje onkologjike, si dhe të rrisë pagat për mjekët e urgjencës.

Gjithashtu, akti normativ parashikon rritje të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me nevoja të veçanta, përfshirë edhe kujdestarët e tyre.

Në sektorin ekonomik, qeveria ka njoftuar masa shtesë mbështetëse, përfshirë forcimin e garancisë sovrane për programet kombëtare të zhvillimit dhe ndërhyrje në sektorin rural dhe urban.

Kryeministri theksoi se këto vendime vijnë si rezultat i performancës ekonomike më të mirë se sa ishte parashikuar fillimisht.