Qëlluan me armë drejt makinës së kushëririt, arrestohen 3 persona në Kurbin

Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri në Kurbin, ndërsa policia ka arrestuar tre persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.

Ngjarja u denoncua nga 38-vjeçari P. L., i cili deklaroi se mesditën e djeshme, teksa lëvizte me automjet në rrugën e Patokut, në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me armë zjarri.

Pas kallëzimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit nisën menjëherë veprimet hetimore, duke bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e tre personave: Gj. L., 67 vjeç, Gj. (A.) L., 40 vjeç, babë e bir, si dhe E. L., 28 vjeç, kushëri i tyre. Të tre janë banues në Laç.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur V. Gj. (L.), 35 vjeç, djali tjetër i 67-vjeçarit.

Sipas hetimeve paraprake, pas një konflikti verbal me kushëririn e tyre, për motive të dobëta, të dyshuarit kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte 38-vjeçari.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të plagosur.

Gjatë largimit nga vendngjarja, 38-vjeçari P. L. ka përplasur me automjetin që drejtonte një tjetër automjet, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti i tij është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Autoritetet vijojnë punën për kapjen e 35-vjeçarit të shpallur në kërkim, gjetjen e armës së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Në drejtimin e Prokurorisë po punohet edhe për përcaktimin e përgjegjësisë penale të secilit prej personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.