Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Në terren po operojnë gjithashtu 167 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Situata vijon të monitorohet në disa qarqe, ndërsa operacionet janë përqendruar kryesisht në Dajt, Drenie të Patosit, Krujë, Përmet, Nëmërçkë, Dhëmbël, Gurë-Lurë dhe malin e Moravës.
Në Krujë, ndërhyrja vijon në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil, ndërsa në Drenie të Patosit zjarri është riaktivizuar dhe po punohet për izolimin e plotë të vatrës.
Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë të Dibrës, ku përveç forcave zjarrfikëse dhe strukturave vendore janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”. Për shkak të afërsisë së flakëve me disa banesa, forcat janë pozicionuar pranë tyre për mbrojtjen e komunitetit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në pjesën më të madhe të zonave aktive nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa operacionet tokësore dhe ajrore do të vijojnë me kapacitete të shtuara, me prioritet mbrojtjen e zonave të banuara dhe neutralizimin e plotë të vatrave.
NJOFTIM I PLOTE
Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive.
Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 41 automjete zjarrfikëse dhe 395 forca operacionale. Nga Forcat e Armatosura, aktualisht po operojnë në terren 167 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Dajt vijon puna me forcat e MZSH-së dhe ADZM-së, të mbështetura edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë e Madhe po operojnë 4 automjete zjarrfikëse me 15 efektivë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Drenie, bashkia Patos, pas riaktivizimit të vatrës, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 7 automjete zjarrfikëse, 30 efektivë të MZSH-së, forca policore, pyjore dhe vullnetarë, të mbështetur nga 2 avionë “Air Tractor”. Sot operacioni vijon edhe me 30 efektivë të FA-së.
Në Krujë vijojnë operacionet në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze pritet mbështetja e 58 efektivëve të FA-së dhe 2 helikopterëve, ndërsa në Krastë–Halil kanë operuar 58 efektivë ushtarakë me 6 mjete, krahas forcave të ADZM-së dhe strukturave vendore. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Nëmerçkë vijon puna me forcat e MZSH-së, bashkisë dhe 25 efektivë të FA-së, ndërsa në malin Dhëmbel operojnë forcat zjarrfikëse të Përmetit dhe në mbështetje po angazhohen 30 efektivë ushtarakë. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat.
Në Gurë-Lurë, bashkia Dibër, po zhvillohet një nga operacionet më të rëndësishme, me angazhimin e forcave zjarrfikëse, bashkiake, pyjore, ADZM-së, vullnetarëve, 50 efektivëve të FA-së, 2 helikopterëve dhe 2 avionëve “Air Tractor”. Për shkak të afërsisë së zjarrit me disa banesa, forcat zjarrfikëse janë pozicionuar pranë tyre për mbrojtjen e komunitetit.
Aktive mbetet edhe vatra në malin e Moravës, bashkia Devoll, në një zonë të mbrojtur me pyll pishe. Në terren po punojnë forcat e MZSH-së Devoll dhe Korçë, së bashku me shërbimin pyjor, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Operacionet vijojnë me kapacitete të shtuara tokësore dhe ajrore, me fokus mbrojtjen e zonave të banuara, kufizimin e përhapjes dhe neutralizimin e plotë të vatrave aktive.




