ELBASAN — Shërbimet e Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kanë finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin policor të koduar “Tranzit 4”, duke goditur një tjetër rast të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. D., 25 vjeç, M. T., 21 vjeç, dhe K. N., 23 vjeç, të tre banues në Korçë.
Ata u kapën në flagrancë duke transportuar me dy automjete 9 shtetas të huaj nga vendet e treta, të cilët dyshohet se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme nga kufiri i gjelbër në Korçë dhe po transportoheshin në drejtim të pikave të kalimit kufitar të Hanit të Hotit dhe Morinës.
Gjatë ndërhyrjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, si dhe pesë aparate celulare.
Vijojnë hetimet e thelluara për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Elbasanit për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.
