Përplasje Itali-Spanjë për migracionin/ Meloni: Nuk pranojmë ultimatume, kontrollet vijojnë deri më 15 gusht

ITALI- Tensionet mes Italisë dhe Spanjës janë shtuar për shkak të kontrolleve kufitare dhe menaxhimit të migracionit. Madridi i ka kërkuar zyrtarisht Romës të rikthejë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Shengenit deri të dielën, më 9 gusht, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të marrë masa të përshtatshme për të mbrojtur interesat dhe dinjitetin e qytetarëve të saj.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Italia ka bërë të ditur se pezullimi i përkohshëm për shtetasit e vendeve të treta që mbërrijnë nga Spanja do të mbetet në fuqi të paktën deri më 15 gusht, për shkak të shqetësimeve të sigurisë dhe pritshmërisë për një valë të re emigrantësh në Ceuta.

Qeveria e Giorgia Melonit iu përgjigj kërkesës së Madridit duke deklaruar se Italia nuk pranon imponime ose ultimatume të huaja në lidhje me sigurinë kombëtare dhe kontrollin kufitar. Roma theksoi se nuk ka paragjykime ndaj Spanjës dhe se masa të ngjashme janë marrë edhe më parë nga vende të tjera europiane.

Qeveria italiane shtoi se qytetarët spanjollë, njësoj si shtetasit e tjerë të BE-së, nuk preken nga këto kontrolle. Ndërkohë, Madridi ka argumentuar se Italia ka pasur vitet e fundit numrin më të lartë të hyrjeve të parregullta, madje dyfish më të mëdha se Spanja.