TIRANA- Dy persona janë arrestuar nga policia në kuadër të hetimeve për rastin e rëndë të 13-vjeçares nga Shkodra, e cila u largua nga banesa dhe u gjet pas disa ditësh kërkimesh në Tiranë. E mitura, me shtetësi shqiptare dhe amerikane, dyshohet se është përfshirë në një rast abuzimi seksual dhe trafikimi të të miturve, me ngjarje të dyshuara në disa qytete të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, në kuadër të hetimeve janë ndaluar dy shtetas, të identifikuar me inicialet A. Q., 46 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. V., 49 vjeç, banues në Fier.
Arrestimet janë kryer në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier, ndërsa hetimet janë zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Për të dy personat, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ata dyshohen për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Trafikimi i të miturve”, të parashikuara nga nenet 100 dhe 128/b të Kodit Penal.
Rasti u bë objekt hetimi pasi familjarët e 13-vjeçares kallëzuan largimin e saj nga banesa. Pas denoncimit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Shkodër, së bashku me shërbimet e Komisariatit të Policisë, nisën kërkimet për lokalizimin e saj.
Operacioni u shtri në disa qytete dhe u zhvillua në bashkëpunim me strukturat policore të Tiranës dhe Fierit, nën drejtimin e Prokurorisë dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas disa ditësh kërkimesh, e mitura u lokalizua në Tiranë, ndërsa zbulimi i vendndodhjes së saj çoi në vijimin e hetimeve për identifikimin e personave që dyshohet se kanë pasur përfshirje në këtë rast.
Policia bën me dije se hetimet nuk janë mbyllur me arrestimin e dy personave. Autoritetet vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në ngjarje.
Ndërkohë, për shkak të moshës së viktimës dhe natyrës së rëndë të çështjes, autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë penale./
