Fluksi i lartë i automjeteve gjatë fundjavës ka sjellë trafik të rënduar në daljen e autostradës Tiranë-Elbasan, ku një varg kilometrik makinash është krijuar në zonën e Bradasheshit.
Qindra qytetarë që kanë zgjedhur të udhëtojnë drejt Pogradecit, Korçës apo zonave bregdetare janë përballur me pritje të gjata në këtë segment rrugor.
Rrethrrotullimi i Bradasheshit vijon të jetë pika më problematike për qarkullimin, ndërsa të dhënat e Google Maps tregojnë se kalimi i këtij aksi mund të kërkojë më shumë se një orë për shkak të ngarkesës së lartë.
Situata përsëritet pothuajse çdo fundjavë, kur numri i automjeteve që largohen nga Tirana rritet ndjeshëm dhe krijon radhë të gjata në drejtim të juglindjes së vendit.
Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për menaxhimin e qarkullimit dhe lehtësimin e trafikut në zonën e mbingarkuar.




