Partia Demokratike ka bërë publik propozimin e saj për Reformën Administrativo-Territoriale, duke propozuar një organizim me 100 bashki dhe 6 rajone.
Drafti është shpërndarë nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luciano Boçi, i cili u ka kërkuar deputetëve demokratë të dalin më pas me qëndrimet e tyre publike.
“Të nderuar deputetë, me miratimin e Kryetarit të PD-së dhe të Kryetarit të Grupit, ju përcjell listën e bashkive (100) të paraqitur në raport nga ekspertët tanë. Secili mund të bëjë më pas prononcimin e vet. Faleminderit!”, thuhet në mesazhin e Boçit.
Partia Demokratike akuzon mazhorancën se ka vepruar në mënyrë të njëanshme në procesin e Reformës Administrativo-Territoriale, duke paraqitur propozimin e saj si alternativë ndaj draftit të Partisë Socialiste.




