SHKODËR- Një aksident tragjik është regjistruar pasditen e kësaj të diele në Shkodër, ku një 67-vjeçare ka humbur jetën pasi është përplasur nga një automjet që ka dalë nga rruga.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40, në zonën e njohur si “Ura e Bahçallëkut”. Sipas të dhënave paraprake të policisë, automjeti drejtohej nga një 27-vjeçare, e cila dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e makinës.
Pasi ka dalë nga rruga, automjeti është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese dhe më pas ka goditur këmbësoren 67-vjeçare, e cila ndodhej në trotuar.
Pavarësisht përplasjes, e moshuara nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit të automjetit.
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 15:40, në vendin e quajtur “Ura e Bahçallëkut”, shtetasja B. P., 27 vjeçe, duke drejtuar automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe si pasojë, automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me shkallët metalike të një ndërtese.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën këmbësorja, shtetasja E. B., 67 vjeçe, e cila po ecte në trotuar.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.



