Në zonat malore dhe juglindje priten reshje shiu, ja si do të jetë moti sot

Shqipëria do të vijojë të ndikohet edhe këtë të premte nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme, duke sjellë një mot me alternime kthjellimesh dhe vranësirash.

Sipas parashikimit, vranësirat do të shtohen gradualisht gjatë orëve të mesditës, ndërsa në zonat malore në lindje dhe juglindje të vendit priten reshje shiu me intensitet të ulët, kryesisht në formën e episodeve lokale.

Era do të fryjë kryesisht nga kuadrati i jugut, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet deri në 10 m/s.

Ndërkohë, në det parashikohet valëzim i forcës 1–2 ballë.

Në përgjithësi, dita do të karakterizohet nga kushte të ndryshueshme atmosferike, me mundësi për reshje të dobëta dhe lokale kryesisht në relievet malore dhe zonat juglindore.