E rëndë në Greqi: 51-vjeçari shqiptar akuzohet se ka abuzuar me mbesën e tij 8-vjeçare

Një çështje veçanërisht e rëndë e abuzimit seksual të një të miture po hetohet nga autoritetet në Korfuz, ku një 51-vjeçar shqiptar akuzohet se ka abuzuar sistematikisht me mbesën e tij 8-vjeçare, brenda shtëpisë së familjes, në një fshat në pjesën qendrore të ishullit.

Sipas Protothema, çështja nisi të zbardhej pasi 8-vjeçarja vizitoi një mjek së bashku me nënën e saj.

Gjatë ekzaminimit, mjeku dyshohet se konstatoi shenja që i referoheshin një abuzimi dhe njoftoi nënën e fëmijës.

Më pas, nëna iu drejtua policisë dhe bëri kallëzim, duke nisur hetimet për të zbardhur se çfarë kishte ndodhur dhe për sa kohë kishte zgjatur abuzimi i dyshuar.

Nga hetimet paraprake, sipas informacioneve të deritanishme, janë siguruar të dhëna që çuan në arrestimin e 51-vjeçarit. Shqiptari u paraqit sot, më 10 shtator, para prokurorit, ku kërkoi afat për të dhënë dëshminë e tij dhe sipas mediave greke, ai ka mohuar akuzat.

Edhe prindërit e fëmijës kanë bërë kallëzim penal, ndërsa hetimet paraprake vijojnë.

Policia po përpiqet të përcaktojë kohëzgjatjen e abuzimit të dyshuar, rrethanat e sakta në të cilat ai ka ndodhur, si dhe çdo element tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të çështjes.