Konflikt me thikë pranë shkollës “Demokracia” në Korçë, një i plagosur. Emrat

KORÇË – Ngjarje e rëndë në qytetin e Korçës. Plagoset me thikë një person.

Rasti ndodhi në afërsi të shkollës “Demokracia”.

Burime zyrtare bëjnë me dije se i dëmtuari nga ky konflikt është shtetasi Rigels Janaqi. Ai ka marrë dëmtime të rënda në zonën e qafës dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore nga bluzat e bardha.

Policia ka reaguar menjëherë duke bërë të mundur identifikimin dhe kapjen në kohë rekord të autorit të dyshuar të sulmit. Ai është shtetasi Gëzim Ramka.

Nga të dhënat e para hetimore, rezulton se shtetasi Gëzim Ramka vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai është shoqëruar në mjediset e komisariatit vendor të policisë, ku po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në këtë konflikt të përgjakshëm.