Bie zjarr në një park me koshere bletësh

Zjarr në një park bletësh në Gërhot, shpëtohen kosheret, digjet një kasolle

GËRHOT – Një zjarr ka përfshirë mesditën e sotme një sipërfaqe toke në zonën e quajtur Poligoni, mbi repartin ushtarak në Gërhot.

Sipas informacioneve paraprake, pas mbërritjes së shërbimeve zjarrfikëse në vendngjarje u konstatua se flakët kishin përfshirë një ambient të rrethuar me rrjetë teli, i cili përdorej si park bletësh.

Zjarri ishte përhapur në të gjithë sipërfaqen e parkut, si dhe jashtë tij, duke rrezikuar kosheret e bletëve dhe objektet ndihmëse.

Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhyri menjëherë me dy grupe zjarrfikësish, duke bërë të mundur izolimin e flakëve, mbrojtjen e koshereve dhe shuarjen e plotë të zjarrit.

Si pasojë e zjarrit u dogj një kasolle që përdorej për ruajtjen e materialeve të bletarisë, ndërsa të gjitha kosheret e bletëve u shpëtuan pa pësuar dëmtime.

Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga pakujdesia gjatë përdorimit të tymit për kontrollin e bletëve. Ndërkohë, autoritetet po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.