GRAMSH – Një vatër zjarri ka përfshirë Malin e Vinës në Bashkinë e Gramshit, duke vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës për shkak të terrenit të thepisur dhe mungesës së aksesit për automjetet zjarrfikëse.
Zjarri u shfaq gjatë ditës së shtunë, më 1 gusht 2026, në një zonë malore ku mjetet e ndërhyrjes nuk mund të depërtonin. Për të arritur pranë vatrës së zjarrit, efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit u detyruan të përshkonin rreth dy orë rrugë në këmbë.
Pavarësisht kushteve të vështira të terrenit, ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës bëri të mundur izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera pyjore.
Në operacion u angazhuan punonjës të shërbimit zjarrfikës, efektivë të Shërbimit Pyjor dhe të Policisë së Shtetit, të cilët bashkëpunuan për kontrollin e situatës.
Autoritetet bëjnë me dije se ndërhyrja në kohë shmangu përkeqësimin e situatës në një zonë ku edhe më parë zjarret kanë shkaktuar dëme në sipërfaqet pyjore.
Ndërkohë, strukturat e emergjencave u kanë bërë apel qytetarëve dhe vizitorëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë sezonit të verës, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për zjarre. Ndezja e zjarreve në pyje, kullota apo pranë zonave me bimësi të thatë është e ndaluar dhe mund të sjellë pasoja të rënda për mjedisin dhe sigurinë e qytetarëve.




