Belinda Ballukut i komunikohen akuza të reja në SPAK, zgjaten hetimet edhe me tre muaj

TIRANË – Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku i është komunikuar zyrtarisht zgjatja e afatit të hetimeve edhe me tre muaj, si dhe akuza të reja që lidhen me procedurat e prokurimit për tre lote të Unazës së Madhe të Tiranës.

Balluku qëndroi rreth 20 minuta në SPAK dhe, në përfundim të seancës procedurale, u largua pa bërë asnjë koment për mediat. Më herët gjatë ditës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme ishte paraqitur edhe avokati i saj, Ardian Kalia.

Ish-zëvendëskryeministrja është marrë e pandehur në hetimin për tenderin rreth 190 milionë euro të tunelit të Llogarasë. Sipas SPAK, hetimet janë zgjeruar edhe për procedurat e prokurimit që lidhen me tre lote të Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilat dyshohet se ka pasur shkelje gjatë zhvillimit të garës.

Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën për zgjatjen e afatit të hetimeve me tre muaj, ndërsa SPAK vijon veprimet hetimore për këtë çështje.