Tragjedi në futbollin spanjoll, ndërron jetë sulmuesi i Tenerifes pas përplasjes me portierin

0
5

SPANJE – Futbolli spanjoll është në zi pas lajmit tragjik për ndarjen nga jeta të Jesús de Miguel. Sulmuesi i Tenerife-s, i cili po luftonte për jetën pas një përplasjeje të rëndë gjatë ndeshjes ndaj Andorrës, ndërroi jetë të martën, më 3 nëntor, në orën 08:00 të mëngjesit. Lajmi u konfirmua nga vetë klubi, përmes një deklarate prekëse.

Ngjarja ndodhi në minutat shtesë të takimit mes Tenerife-s dhe Andorrës, në një moment kur skuadra vendase po kërkonte golin e fitores. Portieri i miqve, Owono, doli larg portës për të ndërhyrë dhe u përplas me De Miguelin. Gjuri i tij goditi sulmuesin në kraharor, duke e rrëzuar në tokë pa ndjenja. Lojtarët e të dyja skuadrave kërkuan menjëherë ndërhyrjen e stafit mjekësor, ndërsa gjyqtari ndëshkoi me karton të kuq portierin e Andorrës.

De Miguel u transportua me urgjencë në spital, ku mjekët konstatuan arrest kardiak. Ai u shtrua në terapi intensive, por gjendja e tij u përkeqësua gjatë natës. Në përditësimin e fundit përpara njoftimit të vdekjes, Tenerife kishte bërë të ditur se gjendja neurologjike e futbollistit ishte rënduar.

Përmes deklaratës zyrtare, klubi shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e lojtarit dhe solidaritetin me familjen e tij, duke kërkuar respektimin e privatësisë së të afërmve në këtë moment të vështirë.

“Me zemër të thyer dhe me mosbesim përballë një realiteti kaq të ashpër, CD Tenerife njofton ndarjen tragjike nga jeta të Jesús de Miguel Alameda. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë një dhimbje të tillë. Jemi pranë familjes, të afërmve dhe gjithë komunitetit të klubit”, thuhet në reagimin e Tenerife-s.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu