Kundërshtimet ndaj Reformës së re Territoriale të propozuar nga Partia Socialiste po marrin përmasa më të gjera. Këtë të premte, banorët e Memaliajt, Dimalit dhe Klosit dolën në protestë kundër ndryshimeve të parashikuara në hartën e re administrativo-territoriale, ndërsa reagime u shënuan edhe në Përrenjas, Maliq dhe Poliçan.
Në Memaliaj, qytetarët protestuan kundër planit që parashikon bashkimin e bashkisë së tyre me Bashkinë e Tepelenës. Me pankarta në duar, ata shprehën shqetësimin se largimi i shërbimeve dhe përqendrimi i administratës në një tjetër qendër do t’u rrisë kostot dhe do ta vështirësojë jetën e përditshme.
Edhe në Dimal, dhjetëra banorë dolën në shesh për të kundërshtuar propozimin për bashkimin e Bashkisë së Dimalit me Bashkinë e Beratit. Sipas tyre, ky është një vendim që nuk pasqyron interesat e komunitetit dhe është marrë pa marrë parasysh nevojat e banorëve.
“Ne duhet ta mbrojmë Dimalin dhe jo t’ua japim të tjerëve”, u shpreh një prej protestueseve gjatë tubimit.
Protesta u zhvillua edhe në Klos, ku qytetarët kundërshtuan projekt-hartën që parashikon shkrirjen e Bashkisë Klos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Mat. Më herët gjatë ditës, administrata e Bashkisë Klos bojkotoi punën për disa orë në shenjë proteste.
Banorët kërkojnë që Klosi të mbetet bashki më vete dhe shprehen se ndryshime të tilla nuk duhet të miratohen pa një konsultim të gjerë me komunitetin.
Vala e kundërshtimeve nuk u kufizua vetëm në këto tre bashki. Protesta janë zhvilluar edhe në Përrenjas, Maliq dhe Poliçan.






