Arrestohet në Prrenjas autori i dyshuar i plagosjes në Pogradec

Policia ka vënë në pranga Nikolla Agollin, autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur paraditen e kësaj të hëne në Pogradec, ku mbeti i plagosur Brian Syzo.

Sipas burimeve, Agolli u arrestua në Prrenjas pas një operacioni të koordinuar mes Policisë së Pogradecit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Lokalizimi i tij u bë pas kontrolleve të shumta të ngritura në akset rrugore, menjëherë pas ngjarjes.

Nga të dhënat paraprake rezulton se, pas plagosjes, Agolli së bashku me persona të tjerë që ndodheshin me të u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata braktisën automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas vijuan arratisjen me një furgon, në përpjekje për t’iu shmangur ndjekjes së policisë.

Burimet bëjnë me dije se gjatë operacionit është shoqëruar edhe një person tjetër, i cili dyshohet se ka qenë në shoqërinë e autorit në momentin e plagosjes. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të kenë ndihmuar autorin ose të kenë qenë të përfshirë në ngjarje.

I plagosuri, Brian Syzo, u qëllua në këmbë dhe u transportua në Spitalin e Pogradecit, ku po merr trajtim mjekësor. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Brian Syzo është një emër i njohur për policinë. Ai rezulton të jetë hetuar më herët për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, si edhe është përfshirë disa herë në konflikte të ndryshme në qytetin e Pogradecit.

Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për të zbardhur motivin e plagosjes dhe për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet edhe reagimi zyrtar i Policisë së Shtetit për operacionin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.


Brian Syzo


Nikolla Agolli

Pogradec / Informacion paraprak

Plagosi me armë zjarri një 35-vjeçar në Pogradec dhe u largua, kapet në Përrenjas pas disa minutash ndjekjeje nga Policia.

Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A., 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë së Pogradecit, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Përrenjas, kapën dhe po shoqërojnë në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar të ngjarjes.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.