Ministria e Drejtësisë ka përfunduar projektligjin për amnistinë penale, i cili është dërguar për shqyrtim në Këshillin e Ministrave dhe pritet të miratohet për t’u depozituar më pas në Kuvend.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se nga ky akt pritet të përfitojnë rreth 10 mijë persona, bazuar në vlerësimet paraprake që përfshijnë edhe procedimet e vitit 2024.
Sipas ministrit, 338 të dënuar do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa 980 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Lamallari theksoi se filozofia e kësaj amnistie bazohet në qasjen rehabilituese dhe humanizuese të sistemit penal.
Ai nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e përfituesve i përkasin grupeve vulnerabël, përfshirë gra dhe të mitur, duke e cilësuar amnistinë si një akt human që synon parandalimin dhe riintegrimin social.
“Ky akt reflekton nevojën për të ndryshuar qasje dhe mendësi, duke i dhënë shoqërisë orientim drejt rehabilitimit dhe mundësive të dyta. Masa e arrestit me burg duhet të jetë mjeti i fundit”, u shpreh ministri Lamallari.
Ministri sqaroi gjithashtu se nga amnistia nuk përfitojnë persona që janë në hetim apo gjykim nga Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO).
“Ky projektligj nuk përfshin dënime apo çështje që janë në kompetencë të SPAK dhe GJKKO. Është e rëndësishme të shmangen spekulimet, sidomos në këtë kontekst institucional”, deklaroi Lamallari.
Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, projektligji për amnistinë penale pritet t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.













