‘O nanë, ata na kishin piketuar’! Zbardhet përgjimi për zyrtaren që i vodhën 200 mijë euro në Librazhd!

“Ça ka lidhje puna ime, o nanë? Ajo puna ime që për me ashtu, po ata na kishin piketuar… do vinin e do të vrisnin…”,

Kjo është një pjesë e përgjimit të zyrtares së Komisionit të Prokurimit Publik, Lindita Skeja, gjatë bisedës me nënën e saj, e publikuar nga mediat.

Në banesën e vëllait të saj, Gëzim Skeja në fshatin Dorëz të Librazhdit në vitin 2020 janë grabitur rreth 200 mijë euro dhe kjo ngjarje e bujshme u zbulua nga SPAK gjatë përgjimeve për dosjen e kreut të KPP-së, Jonaid Myzyri, i cili është marrë i pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Vjedhjen e banesës së familjes të zyrtares së KPP-së, SPAK e ka ndarë në një procedim penal më vete ku ka ngritur dyshime mbi burimin e parave.

Lindita Skeja në deklaratën e dhënë në Prokurorinë e Posaçme është arsyetur se shuma e parave të vjedhura ishte siguruar nga puna e vëllezërve të saj në Angli.

Gjithsesi, SPAK ngre dyshime nëse paratë ishin vërtet kursime familjare apo të përfituara në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit nga zyrtarja e KPP-së.

Skeja ka rrëfyer ngjarjen për SPAK ku ka thënë se katër persona të maskuar, të armatosur dhe të veshur me uniformë policie kanë hyrë në banesë, në momentin kur aty gjendej ajo, e ëma, i vëllai dhe tre fëmijët.

Sipas saj, një person u mbante armën e zjarrit tek koka, ndërsa të tjerët kanë kontrolluar banesën derisa kanë gjetur vaultat euro dhe paund.

Më pas, grabitësit kanë marrë peng vëllain e Lindita Skejës dhe e kanë lënë në fshatin Labinot të Elbasanit, ku sipas zyrtares, më pas ai është kthyer në këmbë.

Qëllimi ishte që familjarët të mos njoftonin Policinë, derisa grabitësit të largoheshin pa gjurmë.

Sipas mediave, SPAK ka kërkuar nga Prokuroria e Elbasanit administrimin e kësaj dosjeje, por institucioni i akuzës e ka informuar se fashikujt ndodhen ende në Policinë e Shtetit.

Ngjarja pas 5 vitesh mbetet pa autorë, teksa ende nuk dihet nëse nuk është hetuar qëllimisht nga autoritetet apo jo.