Elbasan, 18 Korrik 2025 – Një ngjarje tragjike ka tronditur ditën e sotme zonën e Labinot-Fushës në Elbasan, ku dy vëllezër të mitur, 7 dhe 9 vjeç, kanë humbur jetën pasi u mbytën në lumin Shkumbin. Viktimat janë pjesëtarë të familjes Bica, një familje e njohur e zonës, që merret me blegtori.
Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmive nga vendi i ngjarjes, fëmijët kishin hyrë në lumë për t’u larë, ndërsa ndodheshin në zonë për të ruajtur bagëtitë. Në afërsi të një grope të thellë uji, të krijuar nga një pritë pranë një hidrocentrali lokal, ata janë zënë nga rrjedha dhe kanë humbur jetën.
Një i afërm i familjes, dëshmitar i momentit dramatik, ka treguar për mediat se trupat e fëmijëve janë gjetur nga roja i hidrocentralit, ndërsa njëri prej tyre u transportua në krah nga një efektiv policie i cili tentoi t’i japë ndihmën e parë me frymëmarrje artificiale, por pa sukses.
“Pashë që po vraponin, një fëmijë e kishte polici në krah. E mora, tentova ta ndihmoja, por nuk jepte shenja jete. Janë djemtë e njerëzve të mi, më ka marrë malli për t’i përqafuar. Janë rritur me bagëti, vinin çdo ditë aty ku punoj unë, mbushnin ujë…”, tha mes lotësh i afërmi i familjes.
Trupat e pajetë të fëmijëve janë transportuar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Kjo tragjedi ka lënë të shokuar jo vetëm familjarët, por edhe të gjithë komunitetin e zonës, që po përjeton dhimbjen për humbjen e dy jetëve të pafajshme.
