TIRANË- Çdo qytetar me vendbanim apo vendqëndrim në Shqipëri do të ketë detyrimin të bëjë vetëdeklarimin e adresës së banimit nëpërmjet e-Albania. Por me qëllim vërtetimin që qytetari banon në adresën e deklaruar do të ketë detyrimin të ngarkojë dokumentin e pronësisë së apartamentit, apo të kontratës së qirasë për ata që banojnë në qira.
E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për rastet e ndryshimit të adresës së vendbanimit, ku qytetarët do të duhet të ngarkojnë çdo dokument të ligjshëm që provon vendbanimin apo vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.
Mënyra e paraqitjes së kërkesës për deklarimin e adresës së banimit apo ndryshimit të saj përcaktohen në vendimin “Për përcaktimin e mënyrës së paraqitjes së kërkesës, të dokumentacionit të nevojshëm, të rregullave për deklarimin dhe ndryshimin e vendbanimit ose të vendqëndrimit të shtetasve, si dhe për shtetasit në institucionet shëndetësore dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”. Vendimi hyri në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
“Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar”, theksohet ndër të tjera në vendim.
Zyrat e gjendjes civile, nga ana tjetër, janë të detyruara të verifikojnë saktësinë e adresave dhe të njoftojnë qytetarët brenda 24 orëve në rast të mungesës së dokumentacionit, të cilin qytetarët duhet ta plotësojnë brenda 3 ditëve.
Vendimi po ashtu përcakton se të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.
Në rastet kur një person kërkon të regjistrohet në një familje ekzistuese, kërkesa duhet të konfirmohet online nga kryefamiljari. Ndryshimi i adresës nga një anëtar i rritur i familjes kërkon gjithashtu shkëputjen nga familja ekzistuese në sistemin elektronik.
Vendimi po ashtu përcakton se institucionet shëndetësore dhe ato të ekzekutimit të vendimeve penale, kur mbajnë shtetas për më shumë se tre muaj, kanë detyrimin të raportojnë automatikisht pranë gjendjes civile për vendqëndrimin e tyre. Pas daljes nga këto institucione, njoftimi për përditësim të adresës duhet të bëhet brenda 5 ditëve./ Monitor
