Elbasan, 11 Korrik 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan informon mbi një sërë veprimesh të kryera nga strukturat e saj hetimore dhe të qarkullimit rrugor, në kuadër të forcimit të rendit dhe zbatimit të ligjit në territorin e qarkut.
1. Arrestim për ndërtim pa leje në Belsh
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik arrestuan në flagrancë shtetasin T. K., 60 vjeç, banues në Belsh, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi pa leje ndërtimi, ndonëse ishte nën hetim për të njëjtën vepër penale.
2. Procedim penal për dëmtim prone me automjet – Elbasan
Në Komisariatin e Policisë Elbasan është regjistruar procedim penal ndaj shtetasit A. H., 21 vjeç, i cili, për motive të dobëta, ka goditur me automjet portën e oborrit të shtetasit H. L., 71 vjeç, duke shkaktuar dëme materiale.
3. Drejtim pa leje dhe aksident me motomjet në Balëz
Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë nisur procedim penal ndaj shtetasit H. Sh., i cili, në fshatin Balëz, ka humbur kontrollin e motomjetit që drejtonte pa leje drejtimi. Si pasojë, motomjeti ka dalë nga rruga dhe është dëmtuar pasagjerja, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
4. Ndërtim jashtë kushteve të lejes në Gramsh
Në Gramsh, ka nisur procedim penal ndaj shtetases D. L., 38 vjeçe, pasi është konstatuar duke kryer punime ndërtimi në kundërshtim me përmasat e parashikuara në lejen ndërtimore të miratuar nga autoritetet kompetente.
5. Sqarim për një shtetas të larguar nga banesa – Gramsh
Në vijim të njoftimit të datës 08.07.2025, mbi largimin nga banesa të shtetasit B. Xh., 69 vjeç, Policia bën me dije se ai është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore dhe i është dorëzuar familjarëve. Sipas deklarimit të tij, largimi ka qenë me vullnet të lirë.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme ligjore.
