Athinë, 8 Korrik 2025 – Gjykata e Apelit në Greqi ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin shqiptar Florand Shehu, 44 vjeç, i cili në korrik të vitit 2021 vrau bashkëshorten e tij me gjakftohtësi në banesën e tyre në lagjen Dafni të Athinës.
Shehu u shpall fajtor unanimisht për vrasje me paramendim në gjendje të qetë shpirtërore, si dhe për mbajtje dhe përdorim të armës së ftohtë, pa iu njohur asnjë rrethanë lehtësuese nga trupi gjykues.
E vrau në gjumë me thikë 28 cm
Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 korrik 2021, kur autori sulmoi bashkëshorten e tij Anisa Shehu, 31 vjeçe, duke e goditur me thikë 28 cm në zonën e qafës. Sipas ekspertizës mjekoligjore, viktima nuk kishte shenja rezistence, çka ngre dyshime se ishte në gjumë ose e shtrirë në shtrat në momentin e sulmit.
Çifti kishte një djalë të vogël dhe jetonte në një apartament në lagjen Haravgi të Dafinës, ku Shehu drejtonte një biznes të vogël – një fast food në sheshin kryesor të zonës.
Një marrëdhënie e trazuar dhe e dhunshme
Sipas dëshmive të fqinjëve për mediat greke, marrëdhënia mes çiftit ishte e tensionuar, me debate të shpeshta dhe xhelozi të theksuar nga ana e burrit. Fqinjët kanë dëgjuar disa herë thirrje për ndihmë nga apartamenti i tyre, por ngjarja kulmoi tragjikisht në verën e vitit 2021.
Gjykata rrëzoi pretendimet e autorit
Gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, i pandehuri tentoi të justifikonte aktin duke akuzuar gruan për një lidhje jashtëmartesore, pretendim që nuk u provua kurrë dhe u hedh poshtë nga gjykata.
Avokati i familjes së viktimës, Ioannis Glykas, deklaroi:
“Sjellja e tij ishte krejtësisht e papranueshme. Gjykata nuk i njohu asnjë rrethanë lehtësuese.”
Në përmbyllje të deklaratës, ai shtoi:
“Ky vendim nuk e rikthen jetën e Anisës, por është një mesazh i qartë drejtësie dhe besimi në shtetin ligjor.”
