Njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka zyrtarizuar krijimin e një partie të re politike në SHBA, të quajtur “Partia Amerika”, me synimin për të sfiduar dy partitë tradicionale – Republikanët dhe Demokratët.
Njoftimi i Musk erdhi vetëm një ditë pasi ai zhvilloi një sondazh në platformën e tij X (ish-Twitter), duke pyetur ndjekësit nëse SHBA-të kanë nevojë për një forcë të re politike. Mbi 65% e 1.25 milionë votuesve u përgjigjën “po”, duke e inkurajuar atë të hedhë hapin.
“Me një raport 2 me 1, ju doni një parti të re dhe duhet ta keni. Sot, Partia Amerika është formuar për t’ua kthyer lirinë”, shkroi Musk në një postim në X.
Krijimi i kësaj partie vjen në një klimë të tensionuar politike dhe pas përplasjes së fundit mes Musk dhe presidentit Donald Trump. Miliarderi i njohur kundërshtoi hapur ligjin e ri për uljen e taksave dhe rritjen e shpenzimeve, të nënshkruar nga Trump, duke e cilësuar si një rrezik për ekonominë dhe lirinë fiskale. Ky ligj u bë edhe shkaku i acarimit të marrëdhënieve mes tyre, ndonëse Musk kishte qenë një mbështetës i fuqishëm i Trump dhe kishte kontribuar në fushatën e tij për rizgjedhje.
Musk ka paralajmëruar më parë se është i gatshëm të financojë me shuma të mëdha rrëzimin e ligjvënësve që mbështetën këtë ligj dhe se është i vendosur të promovojë një politikë të re që, sipas tij, i rikthen qytetarëve kontrollin ndaj qeverisë.
Me themelimin e “Partisë Amerika”, Musk shënon një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në skenën politike amerikane, duke sfiduar jo vetëm sistemin ekzistues, por edhe mënyrën tradicionale të të bërit politikë.
