Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Isuf Hasën, 64 vjeç, i akuzuar për vrasjen dhe grabitjen e 81-vjeçarit Xhemal Meta. Ngjarja tragjike ndodhi më 13 janar, kur i moshuari u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij në periferi të Tiranës, me shenja dhune të shkaktuara nga goditjet me sende të forta.
Pas hetimeve intensive, policia arriti në përfundimin se viktima ishte goditur me çekiç nga fqinji i tij, Isuf Hasa, për motive të dobëta. Pas krimit, autori dyshohet se ka grabitur një shumë të konsiderueshme parash nga banesa e të ndjerit.
Gjatë kontrollit në disa prona të lidhura me Hasën dhe familjarët e tij, policia gjeti 200,000 lekë të rinj dhe çekiçin e përdorur si armë të fshehur në banesën e vajzës së tij në Vorë.
Viktima, i cili jetonte i vetëm në fshat, nuk kishte konflikte të njohura, sipas deklaratave të familjarëve të tij që jetojnë në kryeqytet. Hetimet për këtë rast vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
