BallinaBota"Ne nuk kemi dronë të tillë" - Shqipëria mohon përfshirjen në sulmin...

“Ne nuk kemi dronë të tillë” – Shqipëria mohon përfshirjen në sulmin ndaj anijes ruse në Libi

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka mohuar se territori shqiptar është përdorur për kryerjen e sulmit ndaj një anijeje ruse pranë brigjeve të Bengazit, në Libi, duke i cilësuar pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë si pjesë të një fushate dezinformimi.

Në një intervistë për transmetuesin ABC News, Nufi deklaroi se sulmi ishte marrë përsipër nga Ukraina dhe ishte realizuar me mjete që Shqipëria nuk i disponon.

“Shqetësuese ishte lidhja me kryerjen e sulmit nga territori i Shqipërisë. Kjo goditje nga Ukraina është kryer me anë të dronëve ujorë, që Republika e Shqipërisë nuk i posedon. Por edhe nëse do t’i kishim dronët, nuk do të vepronim pa pasur një komunikim me Aleancën. Rrjedhimisht, çdo veprim i tillë i pretenduar ishte lajm i rremë”, u shpreh Nufi.

Sipas ministrit, pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë u përhapën edhe nga portale turke.

Nufi e cilësoi incidentin pranë Bengazit si një zhvillim të rëndë për flotën ruse, ndërsa paralajmëroi për pasojat e përshkallëzimit të luftës në Ukrainë mbi sigurinë rajonale.

“Situata në luftën në Ukrainë ka precipituar, pasi stabiliteti në Ukrainë është i lidhur me stabilitetin në rajon. Është një situatë tejet shqetësuese, që nga dita në ditë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, deklaroi ai.

Ministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për përpjekje ruse që Shqipëria dhe vende të tjera të largohen nga NATO, duke ritheksuar karakterin mbrojtës të Aleancës.

Duke iu referuar incidenteve të raportuara në kufirin e Estonisë me Rusinë, Nufi paralajmëroi se zhvillime të tilla mund të shërbejnë si shkak për përshkallëzimin e tensioneve ndërkombëtare.

“Incidente të vogla mund të bëhen shkaqe për agravime”, theksoi ministri.

Ai u ndal gjithashtu te kërcënimet hibride dhe ndërthurja e luftës konvencionale me operacionet në hapësirën digjitale, duke kujtuar sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë në vitin 2022.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular