IRAN- Një ngjarje e rëndë është raportuar në Iran, ku këngëtarja 29-vjeçare Parastou Ahmadi është ndëshkuar me 74 goditje me kamxhik, pasi kishte performuar pa shami dhe me një fustan të gjatë, në një koncert të transmetuar në platformën YouTube.
Lajmi është bërë i ditur nga avokati i saj, Mustafa Nili, i cili konfirmoi se dënimi është ekzekutuar ndaj këngëtares dhe katër anëtarëve të grupit të saj. Informacioni është raportuar nga agjencia iraniane e lajmeve ISNA dhe gazeta Shargh.
Çështja lidhet me një koncert të zhvilluar në dhjetor të vitit 2024, në një sallë bosh, por të transmetuar online. Gjatë performancës, Ahmadi u shfaq pa shami, e veshur me një fustan të gjatë dhe me buzëkuq të kuq, ndërsa shoqërohej nga një pianist, baterist, kitarist dhe basist, të gjithë të veshur me të zeza.
Videoja e koncertit u bë mjaft e ndjekur në internet, duke grumbulluar më shumë se 3 milionë shikime në kanalin e saj në YouTube. Për këtë performancë, këngëtarja dhe pjesëtarët e grupit u përballën me akuza për “fyerje të moralit publik” dhe për përfshirje në prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve të konsideruara të pahijshme nga autoritetet iraniane.
Parastou Ahmadi ishte mbajtur për dy javë në paraburgim, përpara se të lirohej me kushte kufizuese. Në qershor, ajo u dënua së bashku me anëtarët e tjerë të grupit, ndërsa vendimi u konfirmua edhe në shkallën e dytë. Në Iran, gratë përballen me kufizime të rrepta lidhur me veshjen dhe paraqitjen në publik. Gjithashtu, performancat solo të grave si këngëtare para publikut janë të ndaluara.
Rasti ka nxitur reagime edhe nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në fillim të tetorit, Amnesty International dënoi vendimin për ndëshkimin fizik të këngëtares, duke i bërë thirrje autoriteteve iraniane të heqin dorë nga zbatimi i dënimit me kamxhik, të cilin e cilësoi si mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Another jaw dropping bravery by an Iranian woman. Singer Parastoo Ahmady did a live performance in Iran a few hours ago in an ancient road inn/caravansary.
This is while the regime not only continues to ban women from singing, it just passed a new law that imposes even more… pic.twitter.com/YMAK6y19Bl
— Bahman Kalbasi (@BahmanKalbasi) December 12, 2024
