BallinaAktualitetPolicia e qëlloi me plumb gome në sy, Erjon Vishkulli kthehet nga...

Policia e qëlloi me plumb gome në sy, Erjon Vishkulli kthehet nga Italia: S’jam penduar që mora pjesë në protestë

TIRANË- Erjon Vishkulli, 28-vjeçari, i cili u qëllua nga policia me plumb gome në sy është kthyer në Tiranë pas tre javësh qëndrimi në Itali, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Duke folur për A2CNN, Vishkulli ka treguar për gjendjen e tij shëndetësore dhe ecurinë e rikuperimit, duke theksuar se, pavarësisht sinjaleve pozitive, ende nuk ka siguri për shikimin.

Ai tregoi se pjesa e mbetur në sy ishte hequr që gjatë operacionit të parë në Itali, ndërsa e cilësoi këtë periudhë si të vështirë për të. I riu theksoi gjithashtu se mbështetja e miqve dhe qytetarëve i ka dhënë forcë për të përballuar situatën. I pyetur për ditën kur u dëmtua, Vishkulli u shpreh se nuk dëshiron ta kujtojë atë moment, teksa shtoi se nuk është penduar për pjesëmarrjen në protestë.

“Për momentin fjalët janë të mira për syrin, por siguri nuk kemi. Presim ndërhyrjet edhe, shpresoj të bëhet më e mira. Kontrolli i fundit për syrin më dha shpresë, sepse ndieja dritë. Operacioni i radhës, që është kryesori, aty besoj do të shoh shenjat e para. Më 17 dhjetor kam kontrollin. Sa të kem shqiptarët, është motivi më i madh. Kam pasur këdo, miq, shokë, shqiptarë që kanë ardhur të më takojnë, mesazhe pa fund, telefonata, që më kanë dhënë motivim të madh. S’dua ta kujtoj atë ditë. Asnjë pendesë që mora pjesë”, përfundoi ai.

I riu nga Elbasani u lëndua në sy gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, ku raportohet se gjendja e tij është më e stabilizuar, ndërsa mjekët kanë dhënë shpresa pozitive për rikuperimin e syrit. Ngjarja ndodhi gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa në sfond dëgjohen shpërthimet e fishekzjarrëve dhe thirrjet e protestuesve që kërkojnë ambulancën për të ndihmuar të plagosurin. Vishkulli u transportua fillimisht në Spitalin e Traumës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe më pas u dërgua në Itali për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka zgjeruar hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, ajo ka kërkuar sekuestrimin e objektit që pritet të nxirret nga syri i 28-vjeçarit, për t’iu nënshtruar më pas ekspertizës. Hetimet përfshijnë edhe veprimet e efektivëve të policisë, me qëllim verifikimin nëse gjatë ndërhyrjes ndaj protestuesve është përdorur forcë përtej kufijve të lejuar

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular