TIRANË- Studentët kanë njoftuar sot zhvillimin e një tjetër proteste kombëtare në Tiranë, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka shprehur mbështetjen për protestën kombëtare të studentëve.
Në postimin në faqen zyrtare të sindikatës në Facebook theksohet se edhe kjo protestë do të zhvillohet në emër të studentëve për një arsim sa më cilësor. Në mbështetje të protestës ftohen të gjithë pedagogët dhe punonjësit e universiteteve.
“Protestë kombëtare studentore! Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë mbështet protestën kombëtare të studentëve dhe fton të gjithë pedagogët dhe punonjësit e universiteteve që dëshirojnë t’i bashkohen. Në solidaritet me studentët, për arsim cilësor dhe dinjitet!”, thuhet në njoftimin e sindikatës.
Protesta kundër qeverisë vijoi edhe mbrëmë para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 167-të të tubimeve kundër qeverisjes së Edi Ramës. Studentë dhe qytetarë u mblodhën në bulevardin përpara godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë.
Protestat studentore, të cilat janë shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.
