Durrës, 18 prill 2026 – Një ngjarje e raportuar fillimisht si vdekje për shkaqe natyrale në qytetin e Durrësit ka marrë një tjetër rrjedhë pas hetimeve të kryera nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së ndodhur më 13 prill 2026, në lagjen nr. 18.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 59-vjeçari me inicialet S.M. ka humbur jetën si pasojë e një konflikti fizik dhe jo nga arresti kardiak, siç u dyshua fillimisht. Sipas policisë, ai është goditur me grushte nga një 42-vjeçar, identifikuar me inicialet G.K., pas një konflikti për motive të dobëta.
Si pasojë e goditjeve, viktima ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar në asfalt, duke ndërruar jetë më pas.
Në vijim të hetimeve dhe në bashkëpunim me Prokurorinë, autoritetet kanë ndaluar shtetasin G.K., i cili akuzohet për veprën penale “vrasja nga pakujdesia”.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.












