HOLANDA- Një punonjëse e parkut të kafshëve të egra Safaripark Beekse Bergen, në jug të Holandës, ka ndërruar jetë nga plagët e rënda që pësoi pas sulmit nga një panterë më 24 tetor. Gruaja u sulmua gjatë punës brenda rrethimit ku mbaheshin dy pantera meshkuj të llojit persian.
Mediat e huaja raportojnë se, punonjësja, e cila kishte gati 40 vjet që punonte në park, u transportua për trajtim mjekësor dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale ditën e incidentit. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ajo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Pas ngjarjes tragjike, parku ka njoftuar se do të nisë një hetim të pavarur për të zbardhur rrethanat e sulmit. Ndërkohë, drejtuesit e tij kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e viktimës, ndërsa incidenti ka tronditur stafin e parkut.











