Partia Socialiste i ka dërguar një kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Sipas PS, Komisioni duhet të përqendrohet te funksionet dhe shërbimet e pushtetit vendor, financat vendore dhe zhvillimi rajonal, pas riorganizimit të ndarjes territoriale.
Sipas kërkesës, synohet rishikimi i kuadrit ligjor, forcimi i decentralizimit dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare të bashkive.
Për PS-në, Komisioni i Posaçëm duhet të përbëhet nga 16 anëtarë, sipas “përfaqësimit të grupeve parlamentare, me kryetar përfaqësues të shumicës parlamentare dhe zëvendëskryetar përfaqësues të pakicës parlamentare, dhe ta zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 9-mujor nga data e miratimit të vendimit, me mundësi zgjatjeje nga Kuvendi me kërkesë të arsyetuar të kryetarit të tij“.
Puna theksojnë socialistët do të zhvillohet përmes konsultimeve me bashkitë, institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, duke synuar edhe përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Gjithashtu, komisioni do të ndjekë zbatimin e ndarjes së re territoriale dhe përgatitjen e masave ligjore e administrative për funksionimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
