Zjarri fatal, policia: Humbën jetën nëna me dy fëmijët 1 dhe 3 vjeç. Sapo ishin kthyer nga Gjermania

SHKODËR- Policia ka dhënë detaje lidhur me tragjedinë e ndodhur në fshatin Domen në Shkodër, ku humbi jetën nëna me dy fëmijët e saj, pasi banesa ku ndodheshin u përfshi nga flakët. Sipas bluve, banesa është përfshirë nga flakët rreth orrës 13:10, duke i marrë jetën 24 vjeçares Blerina Çobaj dhe 2 fëmijëve të saj të moshës 1 vjeç e gjysmë dhe 3 vjeç.

Trupat e viktimave janë gjetur mes rrënojave të banesës së shkrumbuar plotësisht. Sipas informacioneve paraprake, familja jeton në fshatin Golem dhe ishte kthyer nga Gjermania më 15 korrik. Nëna kishte shkuar bashkë me dy fëmijët në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Domen për ta pastruar, ku fatkeqësisht banesa u përfshi nga flakët. Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 13:10, në fshatin Domen, Shkodër, ka rënë zjarr dhe është djegur banesa në pronësi të shtetasit B. Ç. Shërbimet e Policisë dhe punonjësit e shërbimit zjarrfikës, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje.

Nga veprimet e para dyshohet se, si pasojë e zjarrit, kanë humbur jetën shtetasja B. Ç., 24 vjeçe, dhe dy fëmijë të mitur, përkatësisht 3 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.