Arrestohet punonjësi i Policisë Bashkiake të Tiranës, dyshohet se goditi me grusht eprorin pas transferimit
Një punonjës i Policisë Bashkiake të Tiranës është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj eprorit të tij në ambientet e institucionit.
Sipas informacioneve të publikuara, i arrestuari është Adi Hazizi, 31 vjeç. Ai dyshohet se ka goditur me grusht Skënder Delijan, shefin e Sektorit të Mbikëqyrjes së Territorit.
Ngjarja, sipas raportimeve, ka ndodhur pas një vendimi për transferimin e Hazizit në një sektor tjetër. Pas komunikimit të këtij vendimi, 31-vjeçari është paraqitur në zyrën e eprorit, ku fillimisht ka pasur një debat verbal, i cili më pas është përshkallëzuar në përplasje fizike.
Shefi i sektorit ka deklaruar se dhuna është ushtruar për shkak të detyrës, duke argumentuar se konflikti lidhej me vendimin për lëvizjen e vartësit në një tjetër sektor.
Rasti po hetohet nga autoritetet për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit dhe përgjegjësitë përkatëse.




