Zjarr me përmasa të mëdha në Malin e Krujës, urdhër evakuimi për banorët e Barabit dhe Llubanit

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Malit të Krujës, ndërsa përhapja e flakëve ka krijuar rrezik për zonat e banuara.

Për shkak të situatës, Bashkia e Krujës ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonat e Barabit dhe Llubanit.

Operacioni i evakuimit po zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë. Në terren janë angazhuar gjithashtu forcat e MZSH-së, Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zbatojnë menjëherë udhëzimet e strukturave në terren dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencave. Prioritet gjatë evakuimit duhet t’u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara.

Në njoftimin e saj, Bashkia Krujë deklaron:

“URDHËR EVAKUIMI – BASHKIA KRUJË

Në kuadër të situatës së krijuar nga zjarri, është urdhëruar evakuimi i menjëhershëm i banorëve të zonës së Barabit, Lluban, në Bashkinë Krujë.

Procesi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Lutemi, me prioritet fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Banorët e zonës duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave.”

Situata në zonë mbetet dinamike, ndërsa strukturat e emergjencave vijojnë operacionin për përballimin e zjarrit dhe mbrojtjen e banorëve.