Cërrik, 16 nëntor 2026 – Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e kësaj të hëne në një stan në fshatin Shtërmen, pjesë e Njësisë Administrative Gostimë në Bashkinë Cërrik. Flakët kanë përfshirë me shpejtësi ambientet e objektit blegtoral, duke mobilizuar menjëherë shërbimet e emergjencës në zonë.
Sipas të dhënave paraprake nga vendngjarja, fatmirësisht deri në këto momente nuk raportohet për dëme në gjënë e gjallë apo persona të lënduar.
Për shkak të intensitetit të zjarrit, efektivëve zjarrfikës të Cërrikut u kanë ardhur në ndihmë edhe ekipet e zjarrfikëses nga Elbasani, Gramshi dhe Belshi. Forcat e bashkuara vijojnë punën intensive në terren për të izoluar vatrën e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve në zonat përreth.
