Një zjarr i madh ka përfshirë një kompleks banimi përballë spitalit QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe situatë paniku mes banorëve.
Flakët kanë nisur në një nga godinat e kompleksit dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, duke shkrumbuar fasadën e pallatit dhe duke rrezikuar edhe ndërtesat përreth. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë të rënduar, me zjarr të përmasave të mëdha dhe ndërhyrje të vazhdueshme të forcave zjarrfikëse.
Banorët janë evakuuar në mënyrë urgjente nga forcat zjarrfikëse, ndërsa në disa momente është raportuar edhe panik dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit, të cilat kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur afrimin pranë zonës së rrezikut.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe disa mjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në pallatet e tjera.
Gjithashtu, në terren ka shkuar edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Shqipëri, Besfort Lamallari, për të ndjekur nga afër situatën dhe koordinimin e masave emergjente.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme të konsiderueshme materiale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet dhe ndërhyrjen në terren.













