Drejtuesi Oliger Torba në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka zhvilluar një konferencë për shtyp për mediat.
Gjatë fjalimit të tij, Torba ka folur rreth një rasti trafikimi lëndësh narkotike të kapur në Aeroporin e Rinasit, si dhe për zbardhjen dhe goditjen e dy rasteve të vjedhjes me armë në 2 filiale bankare.
Sipas Drejtorit Torba u ndaluan shtetasit Robert Duka alias Albert Duka, Michail Prokovas, Olti Kamberi, Gerti Saliu dhe Sead Hajdini.
Njoftimi i plotë i Oliger Torbës:
“Përshëndetje!
Sot jemi këtu për t’ju informuar mbi rezultatet e punës hetimore të Policisë së Tiranës, për zbardhjen e dy vjedhjeve me armë në dy filiale bankare, si dhe goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet Aeroportit të Rinasit.
Pavarësisht angazhimit intensiv të strukturave të Policisë gjatë protestave, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale ka vijuar pa ndërprerje.
Si rezultat i hetimeve të thelluara, të kryera me metoda speciale, nga strukturat hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, u finalizua operacioni policor i koduar “Gjuetari i Bankave”.
Në kuadër të këtij operacioni u identifikua dhe u ndalua shtetasi R. D., alias A. D., 50 vjeç, i dyshuar si autor i dy vjedhjeve nën kërcënimin e armës së zjarrit, të kryera më datë 02.06.2026 dhe 02.11.2026, në dy filiale bankare në Tiranë.
Identifikimi i tij u arrit falë punës profesionale hetimore, përdorimit të sistemeve teknologjike për identifikimin e personave pavarësisht maskimit, si dhe analizimit të veshjeve të përdorura gjatë vjedhjeve.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan ;
– 8 200 euro,
– Veshje të përdorura gjatë kryerjes së veprave penale
– 2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fly”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe autoritetet doganore, bazuar në informacionet e siguruara ushtruan kontroll në bagazhet e pasagjerëve të linjës ajrore Athinë–Rinas.
Gjatë kontrollit, në një valixhe u gjetën dy paketime me material bimor, të dyshuar si lëndë narkotike Cannabis sativa.
Pas veprimeve intensive hetimore u identifikua poseduesi i dyshuar i valixhes, shtetasi grek M. P., 51 vjeç, i cili ishte larguar nga aeroporti menjëherë pas mbërritjes.
Shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij në rrugën e Durrësit, ku u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.
Lënda e dyshuar narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, dje, nga Strukturat hetimore, u kapën dhe u ndaluan 3 shtetas me masë sigurie “Arrest me burg” konkretisht;
– O.K. 29 vjeç
– G.S. 28 vjeç
– S.H. 20 vjeç
Të nderuar qytetarë!
Policia e Tiranës mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, si dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të veprave penale.
Faleminderit”, u shpreh Torba.



