Vrasja në Mirditë, viktima vëllai i Martin Bardhit të ekzekutuar 3 vite më parë

Mirditë – Vrasja e një personi mëngjesin e sotëm në Ndërfushas të Mirditës rikthen në vëmendje një tjetër atentat të rëndë të ndodhur disa vite më parë në Rrëshen.

Viktima e sotme është identifikuar si Viktor Bardhi, vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua më 26 shtator, rreth tre vite më parë, në ambientet e lokalit të tij në hyrje të spitalit të Rrëshenit.

Viktor Bardhi u qëllua me armë zjarri në fshatin Ndërfushas, ndërsa autorët dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Pas ngjarjes, Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve. Grupi hetimor po mbledh provat dhe po verifikon çdo pistë që mund të çojë në zbardhjen e vrasjes.

Një nga pistat që pritet të verifikohet nga hetuesit është edhe ajo e një konflikti të mundshëm të lidhur me vrasjen e Martin Bardhit, por në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar se dy ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Si u vra Martin Bardhi?
Martin Bardhi, i njohur edhe si Marku, u ekzekutua më 26 shtator në lokalin e tij, pranë hyrjes së spitalit të Rrëshenit, vetëm pak metra përballë Komisariatit të Policisë.

Në momentin e atentatit, ai ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit së bashku me tre persona të tjerë. Autorët hapën zjarr me kallashnikov, duke lënë të vrarë Martin Bardhin dhe duke plagosur Oltion Gjinin, ish-drejtor në Bashkinë e Mirditës, Ilir Bardhokun, pronar i një lokali në zonë, dhe Indrit Bardhin.

Edhe pse kanë kaluar rreth tre vite nga ajo ngjarje, autorësia dhe motivet e atentatit ndaj Martin Bardhit mbeten ende për t’u zbardhur.

Vrasja e sotme e Viktor Bardhit pritet të jetë tashmë në fokus të një hetimi të gjerë, për të përcaktuar nëse pas saj fshihet një konflikt i vjetër apo bëhet fjalë për një ngjarje të veçuar.