TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka renditur “tre plagët” që sipas tij dëmtojnë marrëdhënien mes qytetarëve dhe shtetit në vend. Në fjalën e tij para grupit parlamentar, Rama u ndal fillimisht te administrata, duke e përshkruar si një “labirint” ku qytetari shpesh nuk e di se ku duhet të drejtohet dhe kush duhet t’i japë përgjigje.
Një tjetër problem është mungesa e memories institucionale, ku Rama tha se premtimet jepen te qytetarët, por nuk mbahet një regjistër për ato që janë mbajtur. Plaga e tretë, sipas Ramës, lidhet me bindjen e qytetarëve se për një vend pune apo shërbim publik, njohjet mund të vlejnë më shumë se merita dhe fati më shumë se ligji.
“Sot duhet të ndeshemi me 3 plagë që ushqejnë njëra tjetrën. Njëra plagë është plaga e shtetit labirintit, qytetari nuk di kur dhe kush duhet ti përgjigjet. Plaga 2 është mungesa e memories institucionale. Premtohet, flitet vendoset por nuk mbahet regjistër llogarish për atë që u bë, për atë që nuk u bë, për atë që u vonua apo për atë që ndryshoi rrugës. Memoria institucionale nuk është protokolli i institucionit. Është shumë më tepër. Mungesa i kushton shtetit dhe qytetarit shumë herë më tepër se sa mund të imagjinohet. E treta është plaga e derës që nuk duket, të cilën e sheh dhe mund ta prekësh tek ndjenja shpesh herë e drejtë e çdo njeriu në Shqipëri që për një shërbim, për një vend pune, njohja vlen më shumë se merita dhe fati vlen më shumë se ligji. Pasqyrë Albania, Prania besnike, Besa dhe shkalla e meritës janë pjesë e pandashme e përpjekjes për t’iu dhënë përgjigje këtyre pyetjeve”, tha Rama./




