Vrasja në Korçë/ Viktima u ndoq nga autori dhe u qëllua për vdekje brenda një pallati

KORÇË, 8 gusht 2026 – Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në lagjen nr. 14 të Korçës, ku një person rreth 20 vjeç dyshohet se është qëlluar për vdekje me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake, viktima nuk ishte banor i zonës ku ndodhi ngjarja. Dyshohet se ai është ndjekur nga autori, ndërsa në përpjekje për t’u shpëtuar të shtënave, ka hyrë në një pallat në lagjen nr. 14.

Autori dyshohet se e ka ndjekur brenda pallatit dhe e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen.

Mësohet se arma e përdorur dyshohet të jetë kallashnikov. Ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar në përplasjen mes viktimës dhe autorit, ndërsa nuk ka të dhëna të konfirmuara për identitetin e personit të vrarë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Informacionet mbeten paraprake dhe priten të dhëna zyrtare nga Policia e Korçës për dinamikën e plotë të vrasjes dhe motivin e saj.