SHKODËR — Policia ka shpallur sërish në kërkim Vinçesk Pirolin, si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Piroli la qelinë me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila më 19 nëntor i zbuti masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Ai kishte qëndruar vetëm 38 ditë në paraburgim, pasi ishte arrestuar më 11 tetor së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan në kuadër të operacionit policor “Detajet”, nën dyshimet se po përgatisnin një atentat në zonën e Lezhës, ku policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.
Ndërkohë, hetimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ekzekutimit me armë zjarri të 65-vjeçarit Frrok Lleshi, ku një nga pistat kryesore të hetimit ka qenë ajo e hakmarrjes së mundshme.
Mbi bazën e provave të grumbulluara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Kristian Ymeri (Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas të dhënave zyrtare, Kristian Ymeri (Shkambi) ndodhet aktualisht i ndaluar në kuadër të hetimeve për një tjetër vepër penale, ndërsa Vinçesk Piroli, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për çështjen tjetër, është shpallur në kërkim për ekzekutimin e urdhër-arrestit të ri.

