Vajza nga Amerika Latine: Shoqja më premtoi parajsën në Shqipëri, por mbeta peng në një apartament në Elbasan

Fenomeni i prostitucionit është masivizuar në Shqipëri. Kjo është e dukshme jo vetëm në statistikat e autoriteteve ligjzbatuese por edhe në reklamimet online të këtij biznesi. Një biznes që po gjen treg për një numër masiv eskortash të huaja. Fakt është që nëse i referohemi dosjeve hetimore, infrastruktura është gati para se ato të mbërrijnë në Shqipëri. Tani, do të zbulojmë dëshminë e një tjetër vajze të huaj e cila ushtronte aktivitetin në Elbasan.

“Përshëndetje. Jam nga Kolumbia. Jam 21 vjeçe. Gjatë gjithë jetës time kam qëndruar në vendin tim të origjinës. Nuk kam dalë kurrë jashtë vendit. Një shoqja e ime nga Kolumbia, më ofroi punë, si duket e kishte nuhatur se unë nuk kam të ardhura të mjaftueshme ekonomike, babai dhe nëna ime, nuk kanë para për të më mbajtur mua dhe vëllezërit e mi, kam 3 vëllezër”, u shpreh vajza nga Kolumbia

“Komunikimi ndërmjet vajzave dhe personit që i shfrytëzon është më i hershëm. Ata lidhin, si me thënë, një kontratë mirëbesimi. Duke ndarë % pa ardhur në shtetin shqiptar”, u shpreh Suada Pocesta, avokate.

“Sigurisht që jo. Nuk e dija. Ajo më premtoi shumë gjëra, se do të më ndihmonte të kisha një punë të mirë. Më pëlqeu ideja se do të kisha një stil shumë më të mirë jete dhe do të fitoja para të mjaftueshme për të ndihmuar familjen time, për të vazhduar studimet. E dinte se unë nuk kisha pasur para për të vazhduar universitetin. Në asnjë moment nuk kam menduar për vështirësitë, pengesat dhe situatat që do të hasja kur erdha në Shqipëri”, u shpreh vajza nga Kolumbia.

Pak a shumë, qëndrimi i kësaj vajze është i njëjtë me atë që zbuluam më sipër. Ajo, pretendon se është mashtruar. Një fenomen që për hir të së vërtetës është konstatuar në mjaft raste. Por, ndryshe mendojnë hetuesit që e kanë proceduar penalisht.

“Vajza që më premtoi shumë gjëra, më dha se do më mirëpriste, më mori biletën dhe do të më ndihmonte me ushqimet dhe më pas do të më ndihmonte të gjeja punë. Më pas kur erdha këtu e kuptova se gjithçka ishte gënjeshtër. Askush nuk mund ta imagjinojë vuajtjet që kam kaluar këtu”, u shpreh kolumbiania.

Vajza që pranoi të ndajë historinë e saj me ne, rrëfen se e ka gjetur veten peng të tutorëve të saj duke e frikësuar vazhdimisht për jetën. Surpriza e parë asaj i ndodhi sapo shkeli në Rinas. Aty, nuk e priste shoqja e të cilën kishte folur, por, një i panjohur…

“Më doli para një burrë, me një makinë personale. Që më tha se do më merrte dhe duhet të ikja me të. Nuk e dija se ku po shkoja, kur ika në Elbasan, më çuan në një shtëpi, atje ishte dhe një vajzë tjetër që ishte me një burrë, dukej se punonte. Burri i cili më mori nga aeroporti, më mori gjërat personale, pasaportën dhe gjithçka dhe më tha se duhet të punoja me marrëdhënie seksuale me shumë burra për të paguar biletën, shtëpinë dhe ushqimin tim. Të gjitha që më kishin thënë nuk ishte ashtu”, u shpreh vajza nga Kolumbia.

“TURIZMI” I ESKORTAVE/ Rrëfehet 20-vjeçarja nga Kolumbia: Erdha për punë normale, por tani… kam klientë policë dhe zyrtarë!
“Më pas është një person që i pret në aeroport, mund të jetë shqiptar, por dhe i huaj. Mund të operojnë dhe dy njëherësh. Ka ndodhur që mund të jetë dhe një familjar, vëllai i ndonjë eskorte që është mbi të gjitha eskortat e tjera. Është një rrjet ku janë të përfshirë disa persona, nuk është vetëm një tutor, me një eskortë, dy persona që marrin përsipër ta kryejnë këtë lloj pune, por janë disa persona”, u shpreh Suada Pocesta, avokate.

“Ne nuk kemi kontroll për airbnb. Nuk kemi një legjislacion për të quajtur se kush është prostitucion, kush është prostitucion me qëllim përfitimi, pasi nuk ka ndonjë femër, pa pasur qëllim material” u shpreh Esmerald Xhafa, avokat.

Me mbërritjen në Shqipëri, vajza nga Amerika Latine u fut në një rreth vicioz nga mikesha e saj. Ajo i kishte paguar shpenzimet e udhëtimit dhe tashmë, do të duhej të shlyente gjithçka. Në fakt, kjo ishte skema e rekrutimit…

“Në momentin që shkova në aeroport, i shkruajta vajzës që më gënjeu, se ku ishte dhe se çfarë kishte ndodhur. I thashë se doja të largohesha dhe nuk doja të bëja diçka të tillë. Ajo më tha se nuk mund të largohesha dhe se duhet të paguaja për gjithçka duke qenë se më kishte blerë biletën dhe të gjitha shpenzimet e tjera që kishin bërë për të më sjellë në shtëpi. Kështu që nga momenti që erdha nuk mund të dilja nga apartamenti”, u shpreh eskorta,

“Ka dhe shumë vajza që janë viktima të ushtrimit të profesionit. Duke u joshur nga tutorë të ndryshëm, duke mos e ditur, duke menduar se do të bëjnë një punë tjetër. Në momentin që kanë ardhur u është kërkuar të ushtrojnë profesion, në kërkim të parave” u shpreh Suada Pocesta, avokate.

“Rrëmbim? Mund të them se po, sepse për mua ishte një mashtrim. Vajza që më kontaktoi dhe më premtoi një jetë ndryshe, më solli apartamentin më kishte premtuar një jetë ndryshe, me stil që doja të jetoja në jetë tjetër. Më mbajtën të bllokuar në apartament dhe nuk mund të dilja, pasi nuk më linin. Më rrëmbyen, pasi nuk erdha për këtë punë dhe u gënjeva nga fjalët e bukura dhe premtimet boshe që më bënë” u shpreh eskorta

Vajza e konsideron një formë pengmarrje nga tutorët, por denoncim nuk ka pasur.