4 vendet organizatore të Euro 2028 nuk do të kualifikohen automatikisht. Sipas rregullit të ri të UEFA-s Anglia, Skocia, Uellsi dhe Irlanda do të luajnë në eliminatore si çdo kombëtare tjetër. UEFA ka rezervuar vetëm dy vende për organizatorët, të cilat do të përdoren vetëm nëse një ose dy prej tyre nuk arrijnë të kualifikohen përmes eliminatoreve.
UEFA ka miratuar një format të ri kualifikues për Kampionatin Europian 2028, duke vendosur që katër vendet organizatore, Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, të mos kenë më një vend të garantuar në fazën finale.
Për herë të parë në historinë e Europianit me katër organizatorë, të gjitha kombëtaret pritëse do të duhet të sigurojnë pjesëmarrjen përmes eliminatoreve, njësoj si çdo përfaqësuese tjetër.
Sipas sistemit të ri, 55 federatat anëtare të UEFA-s do të ndahen në 12 grupe kualifikuese. Në fazën finale do të kalojnë drejtpërdrejt 12 fituesit e grupeve dhe tetë vendet e dyta me bilancin më të mirë.
UEFA ka rezervuar vetëm dy vende për organizatorët, të cilat do të përdoren vetëm nëse një ose dy prej tyre nuk arrijnë të kualifikohen përmes eliminatoreve.
Në rast se tre ose katër organizatorë dështojnë, vetëm dy me renditjen më të mirë do të përfitojnë nga këto vende rezervë, ndërsa të tjerët do të mbeten jashtë turneut.
Vendimi ka ngjallur debat në botën e futbollit, pasi bie në kontrast me politikën e FIFA-s për Kupën e Botës 2030. Ndryshe nga UEFA, FIFA u ka garantuar automatikisht pjesëmarrjen vendeve pritëse të Botërorit, përfshirë Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain, edhe pse secili prej tyre do të presë vetëm nga një ndeshje hapëse.
Kjo diferencë ka nxitur diskutime mbi mënyrën se si dy organizatat më të mëdha të futbollit ndërkombëtar po trajtojnë të drejtën e organizatorëve për të marrë pjesë në turnetë finalë.
Euro 2028 do të zhvillohet nga 9 qershori deri më 9 korrik 2028 në Angli, Skoci, Uells dhe Republikën e Irlandës, ndërsa shorti i eliminatoreve është planifikuar të hidhet në fund të vitit 2026.




