PUKË – Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, Aleks Uka, i cili mbeti i plagosur rëndë në një aksident rrugor të ndodhur në segmentin Fushë Arrëz–Bajram Curri, në fshatin Porav.
Fillimisht u raportua se aksidenti kishte ndodhur pas një përplasjeje mes një motori dhe një automjeti fuoristradë, por verifikimet e kryera në vendngjarje kanë zbardhur një tjetër dinamikë të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, Aleks Uka ka humbur kontrollin e motorit me të cilin udhëtonte dhe është përplasur me murin anësor të rrugës. Automjeti fuoristradë nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në aksident, por është ndalur në vendngjarje për t’i dhënë ndihmë të dëmtuarit.
Pas aksidentit, Uka u transportua fillimisht në spitalin e Bajram Currit, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore u dërgua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.




